Sallatë oktapodi me patate dhe domata të thata është një sallatë, antipastë apo pjatë e dytë “gourmet” e dietës mesdhetare.
DETAJE
Koha e përgatitjes
10-15 minuta
Koha e gatimit
50-60 minuta
PËRGATITJA
- Në një tenxhere me ujë dhe kripë do ziesh patatet e pastruara, pa lëkurë për 30-40 minuta, varen nga madhësia dhe sasia e patateve. Pasi kanë zier i heq nga uji dhe i lë të ftohen, në mënyrë që kur t’i presësh me copa, si trekëndësha, katror, etj, të mos thërmohen, po të ruajnë formën e tyre.
- Në një tenxhere tjetër me ujë dhe kripë do ziesh oktapodin e pastruar nga të brëndshmet. Ka disa metoda për të zier oktapodin. Unë e ngrij në akull gjithmonë 1-3 ditë para se ta gatuaj, e zbut shumë mishin e oktapodit. Për t’i dhënë formën tentakulave si kaçurrella:), estetikisht ngjan bukur kur e shërben, duhet t’i zhysësh tentakulat 3-4 herë në ujë të valuar dhe pastaj ta vendosësh në një tenxhere me ujë të ftohtë, kripë e një lugë uthull (e ndihmon t’i heqi aromat e forta dhe të zbutet) të ziej derisa me piru e shikon që është zbutur, nëse zhytet lehtë apo jo. Zakonisht nevojiten 20 min për 500gr oktapod, varet nga madhësia e oktapodit. Pasi ka zier e fik nxehtësinë dhe e lë të ftohet aty brënda tek tenxherja e vet, ashtu siç është (ky proçes e ndihmon të zbutet akoma më shumë). Pasi është ftohur i heq me lehtësi atë veshjen me ngjyrë, si pelte që ka oktapodi dhe e pret me rrota 2-3 cm.
- Në një tas sallate hedh oktapodin e prerë bashkë me patatet e prera. I shton domatet e thata, të kulluara nga lëngu (vaji apo uji konservë), të prera hollë. I hedh vaj ulliri, kripë, kopër dhe e përzien mirë. Gati:)!