Dieta mesdhetare

Dieta mesdhetare

Jemi mësuar të mos na zërë gjumi kur përmëndim fjalën “dietë”, kur mendojmë për privatësinë nga disa ushqime që janë dhe plot shije e kalori. Në të vërtetë fjala “dietë” vjen nga greqishtja, që do të thotë “stil jetese”, regjimi ushqimor që ndjekim çdo ditë. Dhe kjo është “dieta mesdhetare“, një mënyrë e të ngrënit e të gatuarit që karakterizon stilin ushqimor, kulinarinë e përditshme, e cila është kaq e pasur dhe e shëndetshme, sa sot është e mbrojtur nga U.N.E.S.C.O si një pasuri për t’u ruajtur dhe trashëguar. Është një gatim i thjeshtë ku përbërësit bazë janë zarzavatet e frutat e stinës, drithërat, peshku, mishi, vaji i ullirit, bishtajoret, erëzat e pse jo dhe një gotë verë. Përveç kësaj, është një stil gatimi që të mbledh në tavolinë, ku shkëmben një histori, një eksperiencë, një kulturë tjetër, është për vegjetarianët, për veganët, etj, ku përveç shijes lë dhe një kujtim të shtrenjtë familjar apo shoqëror. Jo për rastësi, fjala “kulturë” vjen nga latinishtja, nga një popull agrikultorësh, pikërisht nga fjala “kultivim”, ashtu siç kultivohet toka kultivohen edhe idetë. Pra dieta mesdhetare është një kulturë, një stil jetese, është shprehi e një sistemi të tërë kulturor që përmbledh disa kultura të ndryshme të mesdheut, që nga grekët e deri në Egjipt, të krishterë e muslyman, të cilët kontribuan me sheqerin, orizin, portokallet, limonat, kajsinë, patëllxhanin, spinaqin e shumë erëza, që e bëjnë aq të veçantë, të shijshme e të pasur për shëndetin këtë regjim ushqimor. Është një dietë e shëndetshme për zemrën, për diabetin, për kolesterolin, antitumorale, etj, aq sa barazohet me ilaçet, për vlerat që ka. Parandalimi i gjithë këtyre sëmundjeve fillon nga tavolina, nga ushqimi që hamë. Siç thotë dhe G. Herbert: “Kushdo të ketë qënë babai i një sëmundje, të ushqyerit jo korrekt ka qënë nëna”. E duke e lidhur me kulturën, gatimi është art më vete. Të dish çfarë të gatuash dhe si ta gatuash, është arti më i shëndetshëm që karakterizon njeriun. Kështu, nëse dikush ju pyet çfarë “diete” po ndiqni, mund t’i përgjigjeni plot krenari që po ndiqni “dietën mesdhetare”, ku mund të hash gjithçka, plot shije e duke ngelur në formë e të shëndetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *