Lazanjë, dieta mesdhetare.

Lazanjë

Lazanjë, një fjalë e thjeshtë, një poezi në shije. Një nga pjatat e para simbol i dietës mesdhetare, kush e ka provuar, nuk e harron kurrë :)! Një nga gatimet më të vjetra, njihej që në kohën e romakëve me emrin ” Lagana”, por pak ndryshe nga versioni i sotshëm. Për origjinën e lazanjës, siç njihet sot, akoma konkurojnë dy nga gastronomitë më të rëndësishme në mesdhe, ajo Bolonjeze dhe ajo Napoletane dhe ekzistojnë shumë versione të ndryshme përveç klasikes. Për të shtuar kuriozitetin e kujt nuk e ka provuar akoma këtë simbol të shijes, mbreti Ferdinando i dytë njihej dhe si “mbreti i lazanjës”, për pasionin që kishte për këtë pjatë dhe ndër vite, lazanjës i janë dedikuar shumë poezi. Pikërisht se është kaq e veçantë dhe e shijshme ka nevojë për pak kohë për t’u përgatitur, aq më tepër nëse çdo hap të saj do e përgatisni vetë, siç preferoj dhe unë. Do shpjegoj çdo hap, në mënyrë që të jetë sa më e lehtë për t’u krijuar. Ma beso, pasi ta kesh ngrënë, nuk do pendohesh për asnjë sekond të harxhuar. Është një nga pjatat që mbledh më shumë në tavolinë, familjarë apo shoqëri, i madh e i vogël, përveç shijes, lë dhe kujtime të shtrenjta.

Detaje

8

Persona

Koha e përgatitjes

30 minuta

Koha e gatimit

40-45 minuta

PËRBËRËSIT

  • Salcë Ragù (kliko për të parë recetën)

  • 500gr Beshamel ose:
    1lt Qumësht
    100gr Gjalp
    100gr Miell 00
    Arrë moskat
    Kripë

  • 250gr Mocarrela

  • 100gr Djath i grirë Parmigiano

  • 100gr Djath i grirë Pecorino

  • Petë makaroni (kliko për të parë recetën)

PËRGATITJA

  • Përgatit Salcën Ragu (kliko për të parë recetën)
  • Përgatit Beshamelën:
    Në një tenxhere shkrin gjalpin (me nxehtësi të ulët) dhe i hedh miellin. I përzien mirë dhe i shton qumështin ngadalë, duke e përzier gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të shkrihet mielli e të mos ngelen si topa të mbledhura. I hedh kripë dhe i grin arrën e moskatës, nëse është kokërr, ose një lugë të vogël, nëse e ke pluhur. E lë në zjarr për 15-20 min, duke e përzier shpesh, derisa ta shohësh që po trashet, si krem.
  • Përgatit disa Petë makaroni:
    Përgatit disa petë makaroni (kliko për të parë recetën) dhe i vendos të ziejnë në një tenxhere me ujë dhe kripë (pasi ka zier uji), një e nga një, për rreth 1min, duke pasur kujdes kur i heq nga uji, në mënyrë që të mos priten.
  • Shtroje në tavë dhe piqe në furrë.
    Vendos në fillim disa lugë beshamelë dhe e përhap mirë në të gjithë tavën, në mënyrë që të mos ngjisi peta e parë, që është në kontakt me tavën. Vendos petët e makaronit, i hedh disa lugë salcë ragu dhe e përhap gjithandej. I hedh beshamelën dhe e përhap. I hedh copa të vogla mocarrele dhe i spërkat dhjathin parmigiano dhe pecorino të grirë. Secili kat do përgatitet me këtë renditje: peta e makaronit, salca ragu, beshamela, mocarrela dhe djathi i grirë. Zakonisht bëhen 4 kate, edhe për petën e fundit do ndjekësh të njëjtën renditje. Fute në furrë të ngrohur më parë me 180-200 gradë Celsius për 20-25min, derisa të shikosh që është thekur pjesa e sipërme. Gati :)!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *