Makarona me karkaleca të mëdhenj janë një pjatë e parë shumë e thjeshtë për t’u përgatitur dhe shumë mbresëlënëse në shije. Me pak përbërës, sidomos kur prodhimet e detit janë të freskëta, kjo pjatë respekton plotësisht dietën mesdhetare.
DETAJE
5 minuta
20 minuta
PËRBËRËSIT
Makarona si spaghetti, linguine, etj
6-7 Karkaleca të mëdhenj
100 gr Salcë domate
Vaj ulliri (1 lugë e madhe)
Hudër
Spec djegës (një copë e vogël)
1 gotë Verë e bardhë
Majdanoz
Kripë
Piper
PËRGATITJA
Në një tenxhere vendos ujin për makaronat dhe e vë në zjarr. Ndërkohë, në një tigan të gjërë hedh vajin me hudrën dhe specin djegës e i skuq derisa të ndryshoj hudra ngjyrën në të artë. I hedh karkalecat e larë dhe pa antenat e kuqe (ato fijet e gjata të kuqe që kanë në kokë), mund t’i pastrosh dhe nga lëkura e trupit, por kokat jo, se i japin shumë shije salcës dhe e mbulon tiganin me kapak për 5min. Kur shikon që po ndryshojnë ngjyrë në të bardhë karkalecat, i hedh pak kripë dhe i shuan me gotën e verës e i heq kapakun në mënyrë që të avulloj mirë vera. Pasi ka avulluar vera i hedh salcën e domates dhe e mbulon sërish tiganin. I lë në zjarr 15min, nëse shikon që sugo po thahet i shton pak nga uji i makaronave. Hedh makaronat në tenxhere me ujin që tashmë ka zier bashkë me kripën. Lexon sa minuta i nevojiten makaronit të ziej dhe i heq nga zjarri 2min para. I transferon tek tigani i karkalecave dhe i përzien ato 2 minuta që i duhen akoma makaronit të ziej e të thithi mirë shijen e salcës. Shërbehen të nxehta me majdanoz sipër, të prerë hollë.