Blog

Jemi mësuar të mos na zërë gjumi kur përmëndim fjalën “dietë”, kur mendojmë për privatësinë nga disa ushqime, që janë dhe plot shije e kalori, por në të vërtetë fjala “dietë” vjen nga greqishtja, që do të thotë “stil jetese”, regjimi ushqimor që ndjekim çdo ditë. Dhe kjo është “dieta mesdhetare”, një mënyrë e të ngrënit e të gatuarit, që karakterizon stilin ushqimor, kulinarinë e përditshme, e cila është kaq e pasur dhe e shëndetshme, sa sot është e mbrojtur nga U.N.E.S.C.O, si një pasuri për t’u ruajtur dhe trashëguar. Është një gatim i thjeshtë, ku përbërësit bazë janë zarzavatet e frutat e stinës, drithërat, peshku, mishi, vaji i ullirit, bishtajoret, erëzat e pse jo dhe një gotë verë. Përveç kësaj, është një stil gatimi që të mbledh në tavolinë, ku shkëmben një histori, një eksperiencë, një kulturë tjetër, është për vegjetarianët, për veganët, etj, ku përveç shijes lë dhe një kujtim të shtrenjtë familjar apo shoqëror. Jo për rastësi, fjala “kulturë” vjen nga latinishtja, nga një popull agrikultorësh, pikërisht nga fjala “kultivim”, ashtu siç kultivohet toka, kultivohen edhe idetë. Pra dieta mesdhetare është një kulturë, një stil jetese, është shprehi e një sistemi të tërë kulturor, që përmbledh disa kultura të ndryshme të mesdheut, që nga grekët e deri në Egjipt, të krishterë e muslyman, të cilët kontribuan me sheqerin, orizin, portokallet, limonat, kajsinë, patëllxhanin, spinaqin e shumë erëza, që e bëjnë aq të veçantë, të shijshme e të pasur për shëndetin këtë regjim ushqimor. Është një dietë e shëndetshme për zemrën, për diabetin, për kolesterolin, antitumorale, etj, aq sa barazohet me ilaçet, për vlerat që ka. Parandalimi i gjithë këtyre sëmundjeve fillon nga tavolina, nga ushqimi që hamë. Siç thotë dhe G. Herbert: “Kushdo të ketë qënë babai i një sëmundje, të ushqyerit jo korrekt ka qënë nëna”. E duke e lidhur me kulturën, gatimi është art më vete. Të dish çfarë të gatuash dhe si ta gatuash, është arti më i shëndetshëm që karakterizon njeriun. Kështu, nëse dikush ju pyet çfarë “diete” po ndiqni, mund t’i përgjigjeni plot krenari që po ndiqni “dietën mesdhetare”, ku mund të hash gjithçka, plot shije e duke ngelur në formë e të shëndetshëm. 

1 Comment

  1. Me pelqen shume blogu. Ka receta te thjeshta, te lehta e te dashura. Disa prej tyre perngjajne me receta shqiptare ose kane shume pak ndryshime. Pergezime per punen tuaj dhe presim receta te tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *