Supë fasule me makarona. Receta gatimi. Dieta mesdhetare.

Supë fasule me makarona

Supë fasule me makarona është një pjatë e parë vegjetariane, shumë e thjeshtë dhe e shijshme. Një pjatë e ekuilibruar me karbohidrate dhe proteina, perfekte për një ditë të ftohtë dimri. Një shije pak ndryshe nga ç’jemi mësuar me supën e fasuleve që ia jep rozmarina dhe hudra.

DETAJE

Koha e përgatitjes

5 minuta

Koha e gatimit

30-60 minuta

PËRBËRËSIT

  • Fasule

  • Makarona të vogla

  • 1 Karrotë

  • 1 Selino

  • Hudër

  • 1 lugë Kurkum

  • Salcë domate

  • Kripë ose dado

  • Rozmarin

  • Vaj ulliri

PËRGATITJA

Fasulet nëse janë të thata, duhen lënë në ujë një natë para të zbuten. Unë përdor fasule të freskëta, zakonisht i blej me shumicë tani që është stina e tyre dhe i ndaj me porcione në qese, i ngrij në akull dhe i përdor gjatë gjithë dimrit. Nevojitet shumë pak kohë për t’i zier në krahasim me ato të thatat. Edhe për fasulet konservë nevojitet pak kohë. Nëse do përdorni ato të thatat do ju duhet vetëm kohë më e gjatë gatimi.
Në një tenxhere hedh pak vaj ulliri dhe skuq hudrën me një degë rozmarin derisa të ndryshoj ngjyrë hudra në të artë. E heq nga tenxherja dhe shton karrotën me selino të prera hollë (në një grirëse elekrike) dhe i lë 1 min, të zbuten pak. I shton fasulet, i përzien mirë dhe i hedh 3-4 lugë salcë domatesh. I shton ujë, 3/4 e tenxheres me kripë ose me dado, 1 lugë të vogël kurkum dhe pak rozmarin. Kam zbuluar që kurkumi shkon shumë me salcën e domates në supë, më thoni dhe ju pasi ta provoni, si ju duket :)?
I vendos një kapak tenxheres dhe këtu vendos kohën në varësi të llojit të fasules: nëse janë të freskëta, ose konservë, ziejnë për 15-20 minuta, nëse janë të thata ju nevojitet më shumë kohë, 50-60 minuta. Provojeni kur janë zier pothuajse, se është momenti t’i hedhësh brënda makaronat e vogla si bulllona, të ziejnë gjithashtu. Llogarit edhe 8-10 minuta për makaronat dhe supa me fasule dhe makarona është gati :)! 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *