Pranvera është stina e argjinares, një zarzavat shumë ushqyes, duket si një luleborë në pamje dhe shumë i shijshëm. Tipike e zonës së Lazios, këtu gatuhet shumë, argjinare romane në furrë është shumë i thjeshtë për t’u përgatitur, ideale për vegjetarianët. Unë i pjek në furrë, se ia lë të gjitha gjethet anësore, që janë dhe më të forta, por në furrë zbuten. Mund t’i gatuash edhe në tigan me kokë poshtë, argjinare “alla Romana” (kliko për të parë recetën), në pamundësi të furrës, duke i hequr gjethet anësore, më të fortat, që të piqet deri në brëndësi. Mund ta përdorësh si antipastë, sallatë apo si shoqëruese e një pjate të dytë.
DETAJE
5 minuta
25-30 minuta
PËRGATITJA
Nëse do i pjekësh në furrë, ndiz furrën të ngrohet. Do i pastrosh argjinaret në ujë, do i presësh bishtin dhe do i hapësh petalet me gishta, i shtyn nga jashtë një e nga një derisa të arrish në qëndër. Në një tas përgatit pak vaj ulliri, majdanoz dhe hudër të grirë hollë, kripë dhe i përzien mirë. Merr nga një lugë e ia hedh argjinareve sa më në brëndësi vajin me majdanozin e hudrën e përgatitur, duke i lyer gjithandej. I vendos në një tavë dhe i fut në furrë për 25-30 minuta me 180-200 gradë Celsius. Pasi janë pjekur, i shijon petalet duke i shkëputur një e nga një, konsumohet vetëm pjesa e poshtme që është dhe më e butë, aty ku shkëputet petalja, derisa të arrish tek zemra e argjinares, që është dhe pjesa më e shijshme.
Nëse do i gatuash në tigan, do i heqësh petalet anësore, ato më të fortat dhe do i marinosh njësoj, me vajin e ullirit, hudrën, majdanozin dhe kripën, do i hapësh pak petalet dhe do i lyesh gjithandej. Në një tigan do hedhësh pak vaj ulliri dhe do i vendosësh argjinaret me kokë poshtë të piqen. Do i kthesh herë pas here, të piqen nga të gjitha anët.