Cous cous me perime. Dieta mesdhetare.

Cous cous me perime

Cous cous me perime është një pjatë që mund të shërbehet e ftohtë, e ngrohtë, si antipastë me porzione të vogla (tip finger food), ose si pjatë e parë. Shumë e shëndetshme, vegjetariane, e përbërë nga shumë perime bashkë, shumë e thjeshtë për t’i shtuar copa mishi, apo fruta deti nëse baza e drekës apo e darkës ështe peshku ose mishi. Nëpër bufe nuk mungon kurrë si antipastë. Mund ta përgatitësh një ditë para dhe ta hash të nesërmen, është akoma dhe më e shijshme. Ruhet në frigorifer dhe shërbehet në temperaturë ambjenti.

DETAJE

Persona

4

Koha e gatimit

25 minuta

PËRBËRËSIT

  • 1-2 Qepë njoma

  • 1-2 Karrota

  • 1 Selino

  • 2-3 Speca të çdo ngjyre, jeshil, të kuq, të verdhë

  • 100gr Qiqra

  • 100gr Mashurka

  • Majdanoz, Borzilok, Mente, ose Kopër

  • Kurkum pluhur

  • 500gr Cous cous

PËRGATITJA

Në një tigan skuq qepët e njoma, të prera hollë me pak vaj ulliri. Pastaj i shton perimet e prera me copa të vogla dhe e mbulon me një kapak tiganin, derisa të jenë pjekur zarzavatet. Në një tenxhere hedh aq ujë sa gram Cous Cous do gatuash, i hedh kripë ujit dhe e lë derisa të filloj të ziej. Sa fillon e zien e heq nga zjarri dhe i hedh një lugë të vogël kurkum ujit. Në një tas hedh cous cous-in, i hedh ujin e nxehtë me kurkum dhe e mbulon 5min. Do e shohësh që cous cous-i e ka pirë të gjithë ujin dhe fryhet. Me një piru thërmoje mirë cous cous-in, derisa të ndahen kokrrat nga njëra-tjetra. Direkt i shton zarzavatet që janë gati dhe i përzien mirë. Unë zakonisht e përdor të gjithë pakon 500 gr Cous Cous. E ruaj në frigorifer për të nesërmen, nëse ngelet, e shërbej të ftohtë, nuk e ngoh më. Në verë është një kënaqësi kur e ha të ftohtë, e lehtë si pjatë dhe shumë e shijshme.

2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *