Fettuccine me kërpudhë porçin

Fettuccine me kërpudhë porçin është një pjatë e parë vegjetariane, shumë e thjeshtë dhe e shpejtë për t’u përgatitur, me shumë pak elementë, mjaftueshëm për të dhuruar një shije të vështirë për t’u harruar :). Fettuccine, sidomos kur janë të bëra vetë, janë makaroni që i shkon më shumë kërpudhave porçin, që thith më mirë nga të gjitha llojet e makaronave, lëngun e lëshuar nga kërpudhat. Kërpudha porçin është shumë karakteristike në shije dhe në aromë, jo të gjithë e dëshirojnë, por kush i ka qejf, këto makarona do i adhuroj. Kërpudha porçin është një nga shijet karakteristike të vjeshtës, dalin direkt mbas shirave të para. Në këtë periudhë gjënden të freskët, ndërsa ata të thatët apo të ngrira mund t’i gjeni gjatë gjithë vitit. Porçini është shumë i shëndetshëm për sistemin imunitar, përmban pak kalori dhe është i pasur me minerale si potas, fosfor, selen, magnez dhe vitamina të grupit B, antioksidantë, etj.

DETAJE

Koha e përgatitjes

15-20 minuta

Koha e gatimit

10 minuta

PËRBËRËSIT

  • Fettuccine (kliko për të parë recetën)

  • Kërpudha porcini

  • Hudër

  • Vaj ulliri

  • Spec djegës

  • ½ gotë Verë e bardhë

  • Majdanoz

  • Kripë

PËRGATITJA

  • Në fillim përgatit makaronat fettuccine (kliko për të parë recetën)
  • Kërpudhat porçin nëse janë të thata kanë nevojë të zbutet në ujë të ngrohtë, në një tas, të paktën 30min para se të gatuhen. Pasi i ke lënë të ndenjura në ujë, i shtrydh mirë dhe i gatuan në tigan. Nëse kërpudhat janë të freskëta, kujdesi tregohet tek pastrimi me një leckë të lagur nga dheu që mund të kenë sipër dhe tek bishti, pa i zhytur kurrë në ujë, se humbasin aromën e freskët. Pastaj do i presësh me kuadrata të vegjël. Nëse janë të ngrira, do i presësh me copa dhe janë gati për t’u gatuar.
  • Në një tigan skuq hudrën dhe specin djegës në pak vaj ulliri dhe kur të ketë ndryshuar ngjyrë hudra në të artë, i shton kërpudhat. I lë 3-4min të zbuten pak dhe i shuan me gotën e verës. Në një tenxhere zien ujin me kripë për makaronat. Mund t’i shtosh pak ujë kërpudhave, nga uji i makaronave. Nëse fettuccine janë të bëra vetë, të freskëta, nuk duan më shumë se 2-3min për t’u zier. Kur mungon minuti i fundit që fettuccine janë gati, i heq nga tenxherja ku po ziejnë dhe i hedh tek tigani i kërpudhave. Nëse thahet shumë uji i kërpudhave në tigan, kur hedh makaronat i shton pak nga uji i zier dhe minutën e fundit i gatuan bashkë në tigan duke i përzier mirë, në mënyrë që fettuccine të thithin ujin dhe shijen e kërpudhave porçin. Kur i heq nga zjarri i hedh majdanozin e prerë hollë dhe i përzien.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *