“Frittata” me kunguj është një mënyrë tjetër për të gatuar vezën, ngjan me një omlet me kunguj, shumë e shijshme dhe e thjeshtë për t’u përgatitur. Pëlqehet nga i madh e i vogël. Mund ta shërbesh si një pjatë e dytë ose si antipastë, duke e prerë me trekëndësha të vegjël, ideale për vegjetarianët.
DETAJE
5 minuta
15-20 minuta
PËRBËRËSIT
4 Vezë
2-3 Kunguj jeshil (varen nga madhësia)
Djath i grirë
Vaj ulliri
1 Qepë
Hudër
Kripë
PËRGATITJA
Në një tigan mesatar, jo shumë të madh, hedh pak vaj ulliri dhe qepën e grirë imët të skuqet pak. Pret kungujt me feta të vogla, i pret sipër hudër të prerë shumë imët, i shton pak kripë, i përzien mirë dhe i hedh në tiganin me qepën të skuqen për 10-15min. I hedh vezët e rrahura me djath të grirë dhe e mbulon tiganin me një kapak. Veza duhet të piqet derisa ta shohësh me sy që nuk është më e lëngshme në sipërfaqe dhe duhet kthyer nga ana tjetër, në mënyrë që të piqet nga të dyja anët. Unë përdor një pjatë të lagur, që e vendos si kapak dhe me shumë mjeshtëri e kujdes :), e kthej tiganin përmbys, larg zjarrit dhe e kthej vezën nga ana tjetër të piqet. Kush ka tigan me kapak për vezë frittata e ka shumë më të thjeshtë për ta kthyer vezën. Kush nuk e ka, si unë, të duhet pak mjeshtëri që të mos rrëshkasi veza nga pjata, apo të derdhet vaji i nxehtë gjatë manovrës së kthimit, duhet ta puthisësh mirë pjatën me tiganin dhe manovra e kthimit duhet të jetë e shpejtë, me një lëvizje dhe me shumë kujdes, përdorni doreza furre për siguri. Me pak fjalë, zgjidh mënyrën që e ke më të lehtë për ta kthyer vezën :). Pasi është pjekur nga të dyja anët, e pret me trekëndësha dhe e shërben. Nëse e përdor si antipastë, mund ta presësh me copa më të vogla. “Frittata” me kunguj ruhet në frigorifer dhe shërbehet edhe e ftohtë.