Lepur në salcë të egër është një pjatë e dytë e dietës mesdhetare me një shije të pazëvëndësueshme :)!
DETAJE
10-15 minuta
60-70 minuta
3-4 orë në marinim
PËRBËRËSIT
Lepur
100gr Salcë domate
Ullinj
Rozmarin
Dafinë
Hudër
Vaj ulliri
Kripë
Piper
1 Karrotë
1 Selino
1 gotë Verë
PËRGATITJA
Lepur në salcë të egër ka një shije të paharrueshme, prandaj do pak kohë për t’u gatuar me një parapërgatitje që është marinimi, për ta zbutur më shumë mishin e për të lënë atë shije kur të shkrihet në gojë.
Si fillim unë e pastroj lepurin e prerë me copa, nga kockat e vogla që mund të shkëputen thjeshtë gjatë gatimit, më duket sikur e pengojnë proçesin e shijimit :). Pastaj e marinoj lepurin me pak vaj ulliri, hudër, rozmarin, dafinë dhe pak kripë dhe e lë në frigorifer për 3-4 orë, të mbuluar me kapak.
Në një tigan të gjërë dhe të thellë, hedh pak vaj ulliri, disa thelpinj hudër të skuqet pak hudra, i shtoj disa degë rozmarin dhe disa gjethe dafinë, të lëshojnë shije, i shtoj ullinjtë dhe pas 1-2 minutash i shtoj copat e lepurit të marinuar. I përziej mirë dhe i vendos një kapak tiganit. Pas 5-6 minutash i përziej dhe i shuaj me gotën e verës, pa kapak tigani që të avulloj vera. Pasi ka avulluar vera i shtoj karrotën me selinon, të prera hollë, i lë disa minuta të zbuten dhe i hedh salcën e domates, ujë (sa përmasa e salcës), pak kripë, piper, rozmarin dhe disa gjethe dafinë. I përziej mirë dhe i vendos kapakun tiganit. Do e lësh të gatuhet për 1 orë të paktën, duke e kontrolluar shpesh mos të thahet e të ngjisi salca, derisa të jetë zbutur komplet mishi e të shkrihet në gojë kur e provon.
Një shije e paharrueshme :)!