Makarona me fruta deti janë një pjatë e parë shumë e thjeshtë, e shpejtë dhe plot shije e dietës mesdhetare, një nga gatimet më të njohura. Dëgjon shpesh t’i quajnë “allo scoglio”- shkëmbi (e përkthyer), për faktin që gatuhej me molusqet që gjënden në shkëmbinj. Sot gatuhet me të gjitha frutat e detit, e pasurojnë më shumë shijen.
DETAJE
10-15 minuta
20-25 minuta
PËRBËRËSIT
Midhje
Vongole
Kallamar
Karkaleca
Domate të vogla qershi
Hudër
Spec djegës
Spaghetti/Linguine/Tonnarelli
Majdanoz
1 gotë Verë të bardhë
Kripë
PËRGATITJA
Për të gatuar makaronat me fruta deti si fillim pastron mirë guackat e midhjeve, i heq atë si rrjetë që del jashtë guackës, pastron dhe filtron mirë vongole nga rëra që mund të kenë, qëron karkalecat, pret domatet dhe kallamarin (me rondele).
Në një tigan hedh pak vaj ulliri, hudër e një copë të vogël spec djegës të skuqen derisa hudra të ndryshoj ngjyrë në të artë. I hedh midhjet dhe vongole, i përzien mirë dhe i vendos një kapak tiganit, në mënyrë që të hapen guackat (3-5 min, ato që nuk hapen duhen hequr, nuk duhen ngrënë). I shuan me gotën e verës dhe i lë edhe 1-2 min të tjera. I heq nga zjarri dhe filtron ujin që lëshojnë, se do duhet në fund për t’i dhënë shije makaronave.
Vendos një tigan të gjërë (ku do hedhësh makaronat minutat e fundit të ziejnë në tigan) me pak vaj ulliri, hudër e spec djegës të skuqen derisa hudra të ndryshoj ngjyrë në të artë. I shton karkalecat e qëruara bashkë me kallamarin e prerë me rondele, i lë të piqen disa minuta dhe i shuan me pak verë. Kur ka avulluar vera i shton domatet (të prera ose jo, varet nga preferenza) dhe i lë disa minuta të tjera të piqen edhe domatet e të lëshojnë pak ngjyrë.
Mbush një tenxhere me ujë, i hedh kripë dhe e lë të ziej uji. I hedh makaronat spaghetti, linguine apo tonnarelli (të treja i shkojnë shumë) të ziejnë për disa minuta dhe kur mungojnë 4-5 minuta nga zierja, i kullon (duke ruajtur pak nga uji i tyre) dhe i hedh tek tigani me domate, kallamar dhe karkaleca, të vazhdojnë gatimin aty. I hedh ujin e filtruar të midhjeve dhe vongole, bashkë me midhjet dhe vongole, të qëruara pjesën më të madhe (disa lërini me guacka se ngjajnë më bukur në pjatë:) dhe i shton pak nga uji i makaronave të ziejnë minutat e ngelura. Kujdes mos thahet lëngu, duhet ta ruajnë pak lëng kur i shërben. I heq nga zjarri dhe i spërkat majdanoz të prerë hollë. Makarona me fruta deti janë gati :)!
(Molusqet vongole mund t’i filtrosh duke i lënë në një tas me ujë dhe kripë gjithë natën në frigorifer, nëse nuk janë të filtruara mirë.)