Makarona me qofte në salcë janë një pjatë e parë që mbledh të madh e të vogël në tavolinë. Kanë një pamje dhe shije të ngrohtë familiare. Përmbledh të gjithë atë kujdesin e një nëne, apo gjyshe, kur je i vogël, se je shumë i dobët e duhet të hash diçka :-). Vetë makaronat të ftojnë të ulesh në tavolinë, me qofte në salcë janë një kënaqësi për shijen, akoma dhe më e madhe.
DETAJE
Koha e përgatitjes
10 minuta
Koha e gatimit
25-30 minuta
PËRBËRËSIT
Makarona
Salcë domatesh
Mish i grirë
Një copë proshutë e pjekur ose një salçiçe italiane (me mish të grirë të freskët)
1 Vezë
1 fetë Bukë ose Peksimadhe
Djath të grirë Parmigiano
Arrë moskat
Majdanoz
1 gotë Qumësht
Hudër
Kripë
Piper
Spec djegës
PËRGATITJA
- Në fillim përgatit qoftet me një brum të thjeshtë. Vendos fetën e bukës në qumësht që të zbutet. Grin copën e proshutës në një grirëse elektrike, ose nëse keni makineri ku grihet mishi, akoma dhe më mirë. Nëse do përdorësh salçiçe italiane, i heq lëkurën dhe e thërrmon. E bashkon me mishin e grirë, në një tas dhe i shton bukën e shtrydhur mirë, në mënyrë që të thërrmohet (nëse do përdorni peksimadhe, thjesht i shton peksimadhe brumit), i shton djathin e grirë, pak arrë moskat të grirë, kripë, piper dhe majdanoz të prerë imët. I hedh vezën dhe e punon me duar brumin duke e përzier mirë. Formon qoftet që duhet të jenë të vogla, në mënyrë që të piqen në salcë.
- Vendos ujin ku do ziejnë makaronat.
- Përgatit qoftet në salcë. Në një tigan të gjërë, hedh pak vaj ulliri, hudër dhe një copë të vogël spec djegës, i skuq pak dhe i shton qoftet. I lë të piqen disa minuta duke i rrotulluar nga të gjitha anët dhe i shuan me pak verë. Pasi avullon vera i hedh salcën e domates me të njëjtën sasi uji. I shton kripë dhe piper dhe i vendos një kapak tiganit. Gjatë kohës që zien uji i makaronave, edhe salca gatuhet, derisa të trashet pak.
- Hidhi kripën ujit në tenxhere kur ka filluar të ziej dhe makaronat. I heq minutën e fundit e i transferon tek tigani me qoftet në salcë. I përzien mirë, duke ruajtur formën e qofteve.