Njoki të bëra vetë, në pamje duken si makarona, por në të vërtetë janë patate. Për më të vegjëlit që kanë qejf patatet, është një alternativë e shijshme për t’i gatuar ato në këtë mënyrë ndryshe nga pureja, apo patetet e skuqura. Për ne të rriturit që pranojmë më lehtë të explorojmë shije të ndryshme, njokit do t`ju habisin me mënyrën sesi shkrihen në gojë. Mund të krijosh pjata të para të mrekullueshme si: Njoki të Sorrentos apo Njoki me pesto stikash dhe karkaleca (kliko për të parë recetat), etj.
DETAJE
Persona
10 minuta
25-30 minuta
PËRGATITJA
Në një tenxhere me ujë vendos patatet me lëkurë, të lara mirë, të ziejnë. Zakonisht nevojiten 20-25min që të zbuten mirë, por varet nga madhësia e patateve. Prova që ato janë zbutur bëhet duke i zhytur një piru në qëndrën tek çdo patate, nëse zhytet lehtë, atëherë janë gati. I heq nga uji dhe i vendos diku të ftohen pak, por jo shumë, se duhet pak nxehtësi për të formuar brumin e njokit më thjeshtë. Aty ku do bësh brumin, hedh miellin në formë mali dhe i krijon një gropë në majë. Pasi i ke qëruar patatet nga lëkura dhe ashtu siç janë të ngrohta i shtyp (nëse ke shtypëse patatesh akoma më mirë) siper miellit, tek gropa e krijuar. Nëse nuk ke shtypëse patatesh, mund t’i shtypësh me një piru dhe i hedh sipër miellit patatet e shtypura. Me shtypëse patatesh proçedura është më e shpejtë edhe për të ruajtur ngrohtësinë e patateve, që nevojitet për brumin. I hedh vezën në mes, i grin pak arrë moskat sipër dhe pak kripë. Fillon ta përpunosh si brum dhe në fund i jep formën e një topi. E mbulon me një pecetë të pastër (që të ruaj ngrohtësinë dhe lagështinë), shkëput nga brumi një top të vogël, sa një grusht dhe fillon ta formosh si cilindër i hollë me duar. Kështu me rradhë, derisa të mbaroj brumi. E pret cilindrin çdo 2cm duke i spërkatur pak miell gjatë gjithë proçesit, në mënyrë që të mos ngjisin. Pastaj me piru i shtyp lehtë duke i rrotulluar, që të marrin formën origjinale të njokit. Zierja e tyre ështe shumë e shpejtë. Do vendosësh ujë në një tenxhere, sikur do ziesh makarona. Pasi ka zier uji i hedh kripën dhe njokit. Për 1-2min ato fillojnë e ngrihen në sipërfaqe, lëri 1min, kulloji dhe transferoji tek tigani ku ke përgatitur një sugo të shijshme, për respekt të punës që duhet për t’i përgatitur dhe të shijes :-).