Patate me speck dhe djath në qëndër është një antipastë shumë e thjeshtë dhe e shijshme e dietës mesdhetare, që pëlqehet nga i madh e i vogël. Nëse e keni mundësinë t’i piqni në zgarë me qymyr, do ishte idealja, por edhe të pjekura në furrë janë njësoj të shijshme.
DETAJE
10 minuta
35-40 minuta
PËRGATITJA
Në një tenxhere me ujë dhe kripë zien patatet e lara dhe të qëruara për 20-25 minuta, varen nga madhësia. Pasi me një piru i provon nëse shkon lehtë deri në qëndër, i heq nga uji dhe i shtyp si pure po me piru. I grin pak arrë moskat dhe i përzien. Pret djathin me katror të vegjël, që duhet të jetë i butë në mënyrë që të shkrihet nga nxehtësia (unë përdor djath Taleggio, shkon shumë në shije me speck). Merr një grusht patate në dorë i vendos një katror djath në qëndër, e mbledh dhe e rrotullon me duar mirë sikur po formon një qofte. E vesh me proshutën speck qoften e patates me djath, e rrotullon proshutën rreth qoftes e kështu me rradhë përgatit qoftet e patave me djath dhe speck. I pjek në zgarë me qymyr duke i rrotulluar nga të dyja anët, ose i fut në furrë me 180-200 gradë Celsius për 10-15 minuta, i ndjek me sy kur fillojnë e formohen kërce në anësoret e proshutës dhe shikon që dhjami i proshutës speck po shkrihet. I shërben të nxehta që të shijosh djathin e shkrirë në qëndër nga nxehtësia.