Piadinë e mbushur është një drekë apo darkë shumë e shijshme, sidomos kur piadina është e bërë vetë. Unë i përgatis shumë shpesh në dimër e aq më shumë gjatë verës, ku do vetëm gjëra të freskëta, që gatuhen pak. E duke i gatuar shpesh, kam eksperimentuar shumë me shijet dhe kam krijuar “top listën” time :-), me në krye këtë recetë. Për guston time, ky bashkim shijesh ia vlen për t’u përmëndur, më thoni dhe ju pasi ta keni provuar si ju duket.
DETAJE
10 minuta
1-2 minuta secila
30min në frigorifer
PËRBËRËSIT
Piadinë (kliko për të parë recetën)
Proshutë Crudo
Hummus ose krem djathi (si philadelphia psh)
Rukola
Kunguj jeshil
Majdanoz
Djath
Vaj ulliri
Kripë
PËRGATITJA
Në fillim përgatit piadinat (kliko për të parë recetën). Ndërkohë që brumi i piadinës është në frigorifer, vendos një piastër në zjarr për të pjekur kungujt e prerë në gjatësi, me feta të holla. I japin shumë shije piadinës. Pasi i ke pjekur i hedh vaj ulliri, kripë dhe majdanoz të freskët sipër. Heq brumin nga frigoriferi dhe përgatit piadinat. Pasi i ke pjekur nga të dyja anët i heq nga zjarri dhe i mbush. Në fillim e lyen me hummus ose me krem djathi (të dyja i shkojnë shumë kësaj recete), pastaj i vendos disa feta proshutë, kungujt e pjekur, disa feta djathi, nëse dëshiron dhe rukola. E përthyen në mes, si gjysëm hënë dhe e ndan në dy pjesë. Më thoni si ju duket si bashkim shijesh kur ta provoni.