Polenta është një nga gatimet më të lashta të njerëzimit. Grekët e lashtë përdornin elbin në vënd të miellit të misrit, siç njihet sot, romakët miellin e thekrës, gjithmonë të shoqëruar me zarzavate sipër. Sot karakterizon krahinën e Venetos, por përdoret në çdo krahinë e shoqëruar me salca të ndryshme, djathra, zarzavate, etj. Versioni me kërpudha porçini në salcë ka një shije shumë të veçantë, është një pjatë e parë shumë e shpejtë për t’u përgatitur, ideale për vegjetarianët, mos e lini pa e provuar.
Unë përdor polenta të gatshme dhe porçini të thata, ose të ngrira, kur nuk i gjej të freskëta. Ato të thatat duhen lënë në ujë të paktën 30 minuta para se t’i gatuash, në mënyrë që të zbuten.
DETAJE
5 minuta
15-20 minuta
PËRGATITJA
Në fillim përgatit salcën me porçini. Në një tigan hedh pak vaj ulliri, kur është ngrohur vaji i hedh hudrën dhe e lë të skuqet pak. Shtrydh kërpudhat nga uji dhe i hedh në tigan, me pak kripë. I përzien mirë dhe i lë 5min të zbuten. I hedh salcën e domates me të njëjtën sasi uji dhe kripë e piper. E përzien mirë dhe i vendos një kapak tiganit. E lë të ziej salca, derisa të trashet pak, 15-20 min. Ndërkohë, vendos një tenxhere me aq ujë sa gram polenta do gatuash, zakonisht shkruhen tek kutia e polentës proporcioni sa gram polenta/me sa ml ujë, varet për sa persona. Do e vendosësh ujin me kripë të ziej dhe në momentin që zien uji i hedh polentën ngadalë, duke e përzier gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të mos formoj si topa, të ngjitura. E lë zakonisht 5-8min, varet, e shkruan tek kutia, duke e përzier shpesh. Në pjatë vendos pak polenta, i hedh sipër disa lugë porçini në salcë dhe pak majdanoz të freskët, të prerë imët.