Sallatë patate me mashurka (bishtaja ose barbunja) është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur, shumë e shijshme dhe e shëndetshme. Ideale për vegjetarianët, sidomos tani në vjeshtë, apo dhe në dimër për të shoqëruar një fileto mishi, apo dhe peshku. Unë përdor dhe speca jeshil të pjekur, i japin shumë shije kësaj sallate, por edhe pa speca ia vlen për t’u provuar :).
DETAJE
10 minuta
25-30 minuta
PËRGATITJA
Në fillim qëron, pastron patatet dhe mashurkat dhe i vendos të ziejnë me avull në një tenxhere për 25-30 min. E provon me një piru nëse zhytet lehtë tek patatet, atëherë janë zier. I lë të ftohen pak dhe në një tas sallate pret patatet me trekëndësha të vegjël, ndërsa mashurkat i lë të gjata, ashtu siç janë. Ndërkohë pjek specat jeshil (speca të vegjël, si ato që përdor për t’i skuqur), o tek zjarri i plitkës ose në furrë. I qëron lëkurën pasi janë pjekur dhe i pret me rripa ose me duar i ndan me fije duke ia hedhur sallatës. I hedh vaj ulliri mjaftueshëm dhe kripë. I përzien mirë dhe sallata me patate dhe mashurka është gati :)!