Kromoterapia ushqimore. Dieta mesdhetare.

Të ushqyerit me ngjyra bën të ndihesh mirë

Ngjyrat reflektojnë energjitë e dritës. Në mjekësitë popullore ngjyrat janë pjesë e kurës dhe të shëndetit. Mjekësia kineze psh, lidh energjinë e ngjyrave me organe të ndryshme; mjekësia indiane ayorveda e lidh energjinë me gjëndrat e trupit.
Natyra furnizon ngjyrat e produkteve ushqimore në varësi të stinës, sepse ajo ngjyrë e caktuar përmbledh dhe shpreh veti të rëndësishme për të mbrojtur organizmin, pikërisht në atë periudhë të vitit. Pigmentet, që në mënyrë natyrale ngjyrosin frutat dhe perimet tona, në fakt kanë veti ushqimore ekzakte, të lidhura me parandalimin dhe kurimin e organeve specifike, të sëmundjeve dhe mbi “gjëndjen emozionale”, që me titull të plotë është pjesë e rëndësishme e mirëqënies.

Jeshile
Është ushqimi më i shëndetshëm: që nga sallatat, tek erëzat, kungujt, spinaqi, kastraveci e disa lloje lakrash. Më pas frutat si kiwi psh, disa lloje mollësh, rrushi (që i themi i bardhë) dhe avocado. Specifikë e këtij grupi janë disa substanca antioksidante shumë efikase për të përforcuar shikimin, të pasura me magnez. Përsa i përket humorit sjellin paqe, qetësi dhe relaks.

E verdhë – Portokalli
Shikimi, siç dihet, ndihmohet nga karotenoidet, substanca ku frutat dhe zarzavatet me ngjyrë të verdhë – portokalle, janë të pasura. Ato janë zgjedhja e duhur për të forzuar sistemin imunitar dhe për të parandaluar sëmundje degjenerative. Janë zakonisht, të pasura me vitaminë C si agrumet psh, ndërsa beta-karoteni i karrotave apo i kungullit të vjeshtës transformohet në vitaminë A. Gjatë verës tavolinat janë të mbushura me këtë ngjyrë: pjeshkat, kajsitë, pjepri, nespullat, specat,
misri, krijojnë entuziazëm për humorin.

E kuqe
Ngjyra e energjisë jetësore sipas mjekësisë kineze, stimulon energjinë e zemrës (në fakt janë të pasura me veti të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve të zemrës) dhe qarkullimin e gjakut duke ndikuar tek një kolorit i shëndetshëm. Dhe jo vetëm. E keni vënë ndonjëherë re që duke ngrënë një domate vjen në humor? Jo? Provojeni, kafshoni një domate të kuqe, të pjekur mirë, plot lëng e aromë! Mbi të gjitha vetitë ushqyese që përmbledhin domatet, por edhe bostanin, luleshtrydhet, qershitë, portokallet e kuqe, etj, janë ato antitumorale dhe atioksidante.

Blu – Lejla (deri në të zezë)
Janë të pasura me antocianine, që janë antioksidantë të fuqishëm: kanë funksion anti-age jo vetëm në estetikë, bukuria do të thotë shëndet jashtë dhe brënda! Ndihmojnë në parandalimin e dëmtimeve të organeve apo funksioneve, që nga lëkura e deri tek memorja. Përveç këtyre, janë mbrojtës shumë të rëndësishëm për zemrën e, duke u afruar më shumë drejt ngjyrës së zezë, edhe për veshkën.
Patëllxhanat, fiqtë, boronicat, manaferrat, kumbullat, rrushi i zi, rrushi i thatë, nuk mungojnë kurrë në dietën mesdhetare. Këto ngjyra kanë efekte qetësuese, sidomos për trurin, favorizojnë përqëndrimin (ngjyra blu) dhe ekuilibrin (ngjyra lejla) e kjo ngjyrë e fundit thuhet që favorizon edhe dëshirën seksuale.

E bardhë dhe Kafe
Edhe këtu benefitet janë tek sytë, lëkura (nga potasi), zemra por edhe kockat. Hudra dhe qepët ndikojnë të ulin kolesterolin. Vënd për bananet, finoku, mollët, selino, prasi dhe lulelakra
.

Këshilla e fundit: mos i lini pa ngjyra pjatat, kthejeni gatimin në një ylber :)!

*Artikull i përkthyer, i botuar tek revista “Sale e pepe” nga Stella Rita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *